Edhe këtë të hënë, pegagogët kanë dalë në një protestë para Korpusit Universitar për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, ndër to rritja e pagave.
Kryetari i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi në fjalën e tij, para të pranishmëve lexoi një letër të hapur drejtuar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, institucioneve kombëtare dhe ambasadave të huaja.
Përmes kësaj letre të hapur, Kovaçi u shpreh se synojnë mbështetje për situatën aktuale të universiteteve, ndërsa kërkojnë që kryeministri Rama të ndalojë intimidimin ndaj pedagogëve dhe të trajtojë me seriozitet kërkesat.
“Letër e hapur drejtuar Presidentit, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, për dijeni Ambasadës Amerikane, Ambasadës së Britanisë dhe shteteve të BE në vendin tonë.
Prej më se dy javësh trupa akademike ka filluar protesta. Gjykojmë se mungesa e mbështetjes ka ndikuar në largimin e rinisë së vendit, është larguar një pjesë e stafit akademik. Boshatisja e auditorëve është çështje e njohur tashmë.
Qeveria është përpjekur t’i konsiderojë politike, me qëllim për ti lënë të pazgjidhura këto kërkesa. Çdo kërkesë e paraqitur ka si synim rritjen e cilësisë së arsimit, frenimin e largimit të rinisë.
Me anë të kësaj letre të hapur, synojmë t’iu informojmë duke kërkuar mbështetje për situatën aktuale. Rama të ndalojë intimidimin dhe të trajtoje me seriozitet kërkesat.
Të plotësohen kërkesat për të marrë fund bojkoti dhe të rinisë mësimdhënia”-tha Sandër Kovaçi.
Kjo e hënë, shënon ditën e gjashtë të bojkotit të proçesit mësimor. Pedagogët shprehen të vendosur se nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre, protestat do të vazhdojnë./Opinion.al