Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë teksa po debatohej për situatën energjetike në vend ka patur replika mes Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe deputetit demokrat Dashnor Sula.
Gjiknuri në fjalën e tij teksa dha shifra për prodhimin e energjisë tha se sektori energjitik është rilindur gjatë qeverisjes së PS.
Pikërisht kjo shprehje e fundit e Gjiknurit tërhoqi vëmendjen e deputetit demokrat, Dashnor Sula i cili me ironi tha se pas Krishtit, ringjalljen e dytë e ka bërë qeveria socialiste me aferën e inceneratorëve.
Replikat në Kuvend
Damian Gjiknuri: Këto janë masa sociale, janë masa që na kushtojnë, jo për interes të asaj që thoni ju të vidhet apo në interes të të mëdhenjve, por janë masa që shkojnë në dobi të konsumatorëve. Të vazhdojmë njëherë se keni ngritur disa mite për energjinë dhe unë dua t’i them dhe t’i dëgjojnë njëherë e mirë shqiptarët. Thoni që na kanë shpëtuar asetet private që ka ndërtuar Sali Berisha. Të jap ca shifra e t’i dini. Deri në vitin 2013 keni ndërtuar, ose le të themi janë ndërtuar nga investitorët privatë 373 mega prodhim energjie. Në vitin 2021, janë 727, pra më shumë nga 2013 deri në vitin 2021. Pra qeveria e PS gjatë këtyre 8 viteve ka dyfishuar kapacitetet prodhuese që u la. Pra është një mit. Kjo është e vërteta me shifra. Kur flisni për HEC private se më keni sulmuar shumë atëherë kur fillova rinegocimin e kontratave, ndryshuam dhe legjislacionin se si të rregullohej ky çmim. Vendosëm një bazë mbrojtëse, pra një dysheme mbrojtëse, por vendosëm edhe një kapak, apo tavan, që kur të vinin kriza fatura të mos u shkonte publikut. E dini që për gati 2 terra energji që prodhohet sot nëse do ishte ajo formula e famshme e Sali Berishës, e di sa do paguante sektori energjetik shqiptar? Minimalisht 500 mln Euro më shumë. Do ishte drejt falimentimit. Me projektet tuaja, me ato që bëtë ju, me privatizimin e OSHEE dhe me falimentimin e saj, çmimi do shkonte mbi 10 pikë ca lekë në ato kohë me vlerat e asaj kohe. Por falimentoi. E futët sektorin tamam në varr, e morëm ne, e ringjallëm. Dash ke një meritë si peqins i mirë që je, që ke humor. Humori gjithmonë do të të nxjerrë para. Përzieve aq situata sa po të ishte ai tjetri varrmihësi do të ulte kokën dhe mos fliste më për viktimën e tij. Suksese!
Dashnor Sula: Faleminderit që më dha mundësinë kolegu dhe nuk do e teproj po të them miku im sepse njihemi prej 30 vjetësh, por unë po e them prapë, unë katunar jam i Peqinit. Po të flas pas dy dragonjve, si atij që iku dhe atij këtu, është içik e vështirë. Më tërhoqi vëmendjen nga gjithë fjalimi ringjallja. Po mo po, pas Krishtit, ringjalljen e dytë e ka bërë qeveria socialiste me atë plakën e inceneratorëve. Ishte e vdekur, por doli me 3 milionë euro. Ishalla na bie dhe ne të tjerëve ndonjë 2 milionëshe, ndonjë 500 mijëshe. Faleminderit!