3 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana janë ekstraduar drejt Shqipërisë ditën e sotme.
Uniformat blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për Shpejtim Halimin, Aleksandër Nik-Ramaj dhe 51-vjeçarin me inicialet E.R.
Mësohet se Halimi është ekstraduar nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa është dënuar në vitin 2021 nga Gjykata e Tiranës me 4 vjet burg për veprën penale “Përndjekja”.
Po ashtu është bërë ekstradimi i Aleksandër Nik-Ramaj nga Kroacia, i cili është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 1 vit e 4 muaj burg për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas, në vitin 2017, pas një konflikti për motive të dobëta, në Vlorë, ka plagosur rëndë, me mjet prerës thikë, shtetasin V. C.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Interpol Roma, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, 51-vjeçari me inicialet E. R, banues në Durrës. 51-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Në vitin 2019,ai gjatë kohës që ushtronte profesionin e mjekut, në spitalin e burgut të Peqinit, dyshohet se i ka kërkuar shumën 2000 euro, të afërmit të një dënuari me 35 vjet burgim, për vrasje, që të përpilonte një raport mjekësor, për dërgimin e të dënuarit në spital, për të kryer një operacion. Gjithashtu, gjatë kohës së ushtrimit të kësaj detyre, shtetasi E. R. dyshohet se ka patur dijeni për një të dënuar që mbante aparat celular në ambientet e burgut, por nuk ka kallëzuar.
Sakaq, të ekstraduarit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./Opinion.al