Agjencia Rajonale e Mbikëqyrjes Policore në Durrës ka pezulluar nga detyra, inspektoren Arkodula Bane, e cila dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Sipas uniformave blu, punonjësja e policisë e cila merrej me kontrollin e personave që udhëtonin nga Porti i Durrësi, nuk e ka kryer detyrën e saj, duke bërë të mundur që shtetasi Meriton Berisha të kalojë kufirin pa iu nënshtruar kontrollit. Ky i fundit është kapur më pas nga autoritetet e policisë italiane dhe është kthyer.
Ndërkohë, në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për Adriatik Bekolli dhe Leonit Mazreku, të cilët akuzohen për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufijve”.
Sipas policisë, këta punonjës në bashkëpunim me njëri tjetrin, më datë 7 shtator të këtij viti kanë ndihmuar Meriton Berishën që t’i shmangej kontrollit të rojeve kufitare dhe të kalojë në mënyrë të paligjshme kufirin nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, duke u fshehur në sediljen e pasme të automjetit më të cilin po udhëtonte./Opinion.al