Një sasi veshjesh kontrabandë që kapnin vlerën e 8 mijë eurove janë sekuestruar në Portin e Vlorës.
Policia bën me dije se në pranga janë vënë dy persona, të cilët bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave.
Gjatë operacionit të koduar “Shipping” , efektivët e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, bazuar dhe në informacionet e marra se një mjet lundrues transportonte mallra nga trageti, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, veshje të ndryshme me vlerë rreth 8000 euro, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat do t’i merrte shtetasi E. P., me qëllim tregtimin e tyre.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë R. B., 64 vjeç, banues në Vlorë, drejtues i mjetit lundrues “Pilotinë” dhe E. P., 35 vjeç, banues në Vlorë, administratori i një subjekti tregtar.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.