Sindikata e pedagogëve ditën e sotme përmes një deklarate për media iu bëri thirrje stafeve akademike në rrethe që t’i bashkohen protestës së 5 tetorit, që do të mbahet në orën 11:00 para Universitetit Politeknik në Tiranë.
Përfaqësuesi i sindikatës tha se ndaj kolegëve të tyre ka pasur kërkesa direkte dhe indirekte për mosmarrjen pjesë në protesta. Ndër të tjera, ai shtoi se do të bojkotojnë procesin mësimor deri në plotësimin e kërkesave.
“Na u bashkoni që të bëhemi bashkë më 5 tetor. Nuk po kërkojmë vetëm rritje pagash, pasi misioni ynë nuk ka njësi matëse. Ftojmë të gjithë kolegët tanë në të gjitha rrethet, këtu në 5 tetor në orën 11:00. Le ta bëjmë këtë godinë qëndresë. Drejtues të institucioneve ju bëjmë thirrje; Qëndroni në lartësinë e detyrës, mos intimidoni. Ka pasur kërkesa direkte dhe indirekte për të mos marrë pjesë në protestë. Ne do të qëndrojmë fortë deri në plotësimin e kërkesave. Bojkoti është një nga mënyrat që do të aplikohet.”, tha përfaqësuesi i sindikatës./Opinion.al