Policia e Tepelenës ka arrestuar një 17-vjeçar i cili ishte përfshirë në një konflikt mes disa të miturve.
Sipas autoriteteve, në sallën operative Tepelenë ka ardhur një telefonatë se në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, një shtetas qarkullonte me armë zjarri.
Pas marrjes së njoftimit, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i shtetasit R. H., 17 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit automatik që ai mbante me vete.
17 vjeçari pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me tre bashkëmoshatarë, është larguar, ka marrë një armë zjarri dhe më pas është rikthyer në vendin e konfliktit.
Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve policore është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, shtetasi R. H., i cili në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit R. H., u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.