Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi sërish se amnistia fiskale do të bëhet pasi sipas tij e kërkon shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Sa i përket kundërshtive të Bashkimit Europian për ligjin, Rama iu drejtua gazetarëve duke iu thënë se duhet të kenë më shumë respekt për emigrantët pasi sipas tij bëhet fjalë për punët e bëra në të zezë dhe jo punët e zeza.
Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se amnistitë fiskale janë parë dhe studiuar nga të gjitha vendet e BE-së.
Pyetje: Ju morët një nismë për amnistinë fiskale, pse nuk e dorëzuat në Kuvend, jeni tërhequr?
Rama: Nuk jemi tërhequr, por po vazhdojmë të dikskutojmë dhe të dëgjojmë për të sheshuar të gjitha keqkuptimet, apo dëshirën për të mos kuptuar. Amnistia fiskale do të bëhet, do të bëhet, e kam thënë dhe e përsëris. E kërkon shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe e patë në Këshillin Kombëtar. Dhe siç e patë, të gjitha pikat e Këshillit Kombëtar kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes, nënave me tre fëmijë u është dyfishuar ndihma, e kemi marrë parasysh e kështu me radhë të gjitha nismat e tjera. Nëse politikanëve në Shqipëri u është dhënë e drejta të gabojnë më shumë se një herë. Nëse kemi një parti që është financuar me paratë e një vendi armik, të ekspozuar si armik e agressor i Kombeve të Bashkuara. Në atë parti sot kemi në krye një person të shpallur non-grata për të gjitha të zezat. Çfarë të drejte kemi ne që të ndalojmë ligjshmërinë e parave të shqiptarëve që kanë bërë para në të zezë nga halli jashtë vendit. Ne nuk jemi askushi që t’ju themi se për këtë shkak nuk mundeni, e kush janë ata që na thonë ne që s’e bëni dot se shqiptarët janë kriminelë. Unë atyre s’u vë faj sepse këtë gjë ia kemi bërë vetë vetes përmes politikanëve që s’kanë lënë gjë pa bërë për të sulmuar politikanët në kurriz të shqiptarëve. Atë që i bëjnë Shqipërisë vetë shqiptarët nuk ia ka bërë asnjë armik. Secili do të ketë bindjen e tij por unë përfaqësoj shqiptarët, nuk përfaqësoj askënd tjetër.
Pyetje: Si mund ta bëni amnistinë fiskale duke pasur BE-në kundër, kur në Shqipëri nuk futesh dot me 10 mln lekë të padeklaruara?
Rama: Nuk jam unë me këto llafe të thëna në hava. Ju me kë jeni se nuk e kuptoj, jeni me shqiptarët apo me kë. Amnistitë fiskale ne i kemi parë dhe studiuar nga të gjitha vendet e BE-së, nuk i kemi gjetur në Australi apo Amerikën Latine. Janë bërë në shumë vende dhe ne nuk po bëjmë diçka që është një shpifje. Këtu flasim për punët e bëra në të zeza dhe jo punët e zeza, pak më shumë respekt kur flisni për emigrantët. Ky nuk është një ligj për mua dhe një ligj për gjykatësit e prokurorët. Nuk është një ligj për ta. Nuk është një ligj kaste, është për ata që kanë lënë vite të tëra rrugëve për të kursyer para. Çfarë keni ju me ta, pse nuk jeni mbështetës, qani hallin tim se si do ta bëj unë? Kjo është çështja më e vogël. Unë nuk jam këtu për interesat e mia personale. Këtë ligj e kërkon 60% e njerëzve, e kërkojnë ata emigrantë që heqin picirin për të sjellë para këtu dhe ju qani hallin se do mërzitet BE./Opinion.al