Katër rajone të Ukrainës të kontrolluara nga forcat ruse do të zhvillojnë referendume këtë të premte për bashkimin me Rusinë.
Votimi nisi në një pjesë të Ukrainës të kontrolluar nga Rusia në një referendum që Moska pritet ta përdorë për të justifikuar aneksimin e katër rajoneve.
Votimi në provincat e Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, që përfaqësojnë rreth 15% të territorit ukrainas, do të zhvillohen nga sot deri të martën.
“Ka filluar votimi në referendumin që rajoni i Zaporizhzhia të bëhet pjesë e Rusisë si entitet përbërës i Federatës Ruse! Po kthehemi në shtëpi! Shpejt, miq!” tha Vladimir Rogov, një zyrtar në administratën e mbështetur nga Rusia të atij rajoni.
Referendumet janë dënuar gjerësisht nga Perëndimi si të paligjshme dhe pararendëse të një aneksimi të paligjshëm.
Serhiy Gaidai, guvernatori ukrainas i rajonit të Luhanskut, tha se në qytetin e kontrolluar nga Rusia Bilovodsk, kreu i një ndërmarrje u tha punonjësve se referendumi ishte i detyrueshëm dhe ata që refuzonin të votonin do të pushoheshin nga puna dhe emrat e tyre do t’i jepeshin shërbimit të sigurisë.
Ai tha se në qytetin e Starobilsk, autoritetet ruse e ndaluan popullsinë të largohej nga qyteti deri të martën dhe grupet e armatosura ishin dërguar për të kontrolluar shtëpitë dhe për të detyruar njerëzit të dilnin për të marrë pjesë në referendum.
Ky votim vjen pasi Ukraina këtë muaj ka rimarrë pjesë të mëdha territori në një kundërofensivë, shtatë muaj pasi Rusia pushtoi dhe nisi luftën në Ukrainë.