Studentët kërkojnë që qeveria t’i mbështesë me 100 euro në muaj, në mënyrë që të përballojnë rritjen e çmimeve. Për këtë më shumë se 6 mijë studentë kanë firmosur një peticion online.
Ndërkohë, studentët shprehen se kjo është një nismë për t’i tërhequr vëmendjen kryeministrit Rama dhe për të parë se në çfarë situate ata ndodhen. Sipas tyre kjo është një nismë ligjore dhe jo protestuese.
“Një kërkesë që është minimale që qeveria duhet ta bëjë për studentët, të paktën ti ribursojë më 100 Euro në muaj. Është diçka që qeveria mund ta bëjë sepse mundësitë i ka, kështu që nuk po kërkojmë diçka që nuk bëhet.”
“Është një nismë për t’i tërhequr vëmendjen kryeministrit se në çfarë situata ndodhemi ne. Është një nisme ligjore, nuk është një nismë protestuese”, kanë thënë studentët.
Po ashtu, studentët shprehen se situata është më problematike për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe qirave të shtëpive.
“Ky vit po bëhet akoma më problematik me rritjen e çmimeve të apartamenteve, me rritjen e çmimeve që studentët kanë akses në vendet shkollore”.
Ndërkohë, kujtojmë se më 15 shtator, pedagogët dolën në protestë, ku kërkuan rritjen e pagave. Ata kërkuan që qeveria t’i përfshijë në paketën e ndihmës së shpejtë për të përballuar çmimet e rritura si pasojë e krizës. Pedagogët paralajmëruan paralajmëruan një bojkot të proçesit mësimor deri në rritje të pagës.