Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka dhënë detaje për takimin e zhvilluar në ambientet e KQZ, ku e pranishme ishte ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, deputeti i PS Damian Gjiknuri si dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se temë e diskutimit ishin financimet e dyshimta nga Rusia dhe Kina për partitë politike, por edhe për reformimin e forcave politike.
“U diskutua gjerësisht për nevojën për reformimin e partive politike, për financimin e partive politike, jo vetëm si kriter për procesin e integrimit evropian, por njëkohësisht si një element shumë i rëndësishëm për të bërë transparencë dhe për të qenë larg influenace nga Rusia, Kina dhe Irani”, theksoi ajo.
E pyetur nga gazetarët se a u diskutua për financimin e PD nga Rusia me 500 mijë dollarë në vitin 2017, kohë kur drejtohej nga Lulzim Basha, Tabaku u përgjigj: Unë besoj se do ketë deklaratë nga ambasada për t’ju informuar.