Kryetari i PD, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë si përgjegjëse për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të karburantit.
Nga foltorja e Parlamentit, Berisha tha se 15 milionë eurot e vëna në dispozicion për paketën që mbështet qytetarët janë një shifër qesharake.
Si referencë Berisha mori paketën e ndihmës sociale në Kosovë e cila ka një GDP më të vogël se Shqipëria, por që ka vendosur në dispozicion të pensionistëve, studentëve dhe punëtorëve të ndërmarrjeve shtetërore një ndihmë prej 100 euro.
Rritjen e çmimit të energjisë për fashën që konsumon më shumë se 800kwh në muaj, Berisha e cilësoi një goditje të rëndë për shtresën e mesme të cilët do të duhet të paguajnë 4-fish çmimin e energjisë elektrike.
“Shqiptarët kaluan një periudhë shumë të vështirë me dy tre fishim të produkteve bazë ushqimore me naftën në stratosferë, me kapacitet turistike bosh, përveç hotelit të ndonjë deputeti. Si në asnjë vend tjetër nafta ulet në bursë dhe rritet nga bordet komuniste. Vjedhje të tmerrshme që bëni me rrugët duke ndërtuar me çmimi 8 herë më të lartë se në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është gjë hiç kjo është thërrime. Mblidheni këtu dhe në vend që ta përmbysni këtë akt që i jep 3 milionë shqiptarëve 15 milionë euro, Tallje dhe vetëm tallja. Kosova që është me një GDP më të ulët se ne përcaktoi 100 euro për çdo pensionistë, student dhe punonjës të ndërmarrjeve publike. Përcaktoi jo 10 por 100% të rritjes së ndihmës ekonomike. Ju i dhatë një goditje fatale shtresës mesme me rritjen e çmimit të energjisë. Dilni e blini me çmime dyfish dhe trefish në bursë. Tani po sillni gjigandët e ndotjes, incenneratorët nga Bangladeshi, mashtroni shqiptarët se punojnë me gaz, asnjë prej tyre nuk punon me gaz punojnë me masut, dhe prodhojnë tonelata squfur. Helmojnë Vlorën dhe dikush mbush xhepat me këtë vjedhje”, tha Berisha.