Drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj në dëgjesën publike të zhvilluar sot u shpreh pro rihapjes së basteve sportive.
Ai sugjeroi rishikimin e ligjit për lojërat e fatit për formalizimin e basteve sportive online, edhe për faktin se sipas tij kjo veprimtari është e ligjshme në vendet e tjera.
“Nga 2019 e në vazhdim në bashkëpunim me AKEP janë bllokuar 6 mijë linqe të dedikuara për lojërat e fatit. Kjo veprimtari në vendet ku janë vendosur serverat është e ligjshme dhe në shumë raste bashkëpunimi ndërkombëtar është i pamundur. Sugjerojmë rishikimin e ligjit për lojërat e fatit për formalizimin e basteve sportive online edhe për faktin se kjo veprimtari është e ligjshme në vendet e tjera. Lojërat e fatit si kazinotë nuk duhen lejuar,” – u shpreh ai.
Pas shkarkimit të Nanos kompetencat për drejtimin e Policisë së Shtetit i kaluan Vocajt deri në emërimin e një drejtuesi të ri.