Ushtria e Kinës tha të dielën se po monitoronte anijet e marinës amerikane që lundronin nëpër ngushticën e Tajvanit, duke mbajtur një nivel të lartë gatishmërie për t’u marrë me çdo provokim.
Marina amerikane njoftoi se kryqëzorët po kryenin një “transit rutinë përmes ngushticës së Tajvanit” sot, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Këto kalime zakonisht përfundojnë në 8 deri në 12 orë dhe monitorohen nga afër nga ushtria kineze.
Dy anijet e marinës amerikane që po lundrojnë në ujërat ndërkombëtare në ngushticën e Tajvanit po kryejnë sot, të dielën, kalimin e parë pas përshkallëzimit të tensioneve me Kinën për shkak të vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në Taipei në fillim të gushtit.
Kina e interpretoi vizitën e Pelosit në Tajvan si një përpjekje e SHBA-së për të ndërhyrë në punët e saj të brendshme.
Vitet e fundit, anijet luftarake të SHBA-së, dhe ndonjëherë anije nga aleatët e SHBA-së si Britania dhe Kanadaja, kanë lundruar rregullisht nëpër ngushticë, duke zemëruar Pekinin.
Kina e konsideron ishullin me rreth 23 milionë banorë, me qeverinë e saj autonome, një provincë separatiste e destinuar për t’u ribashkuar me kontinentin, me forcë nëse është e nevojshme. Tajvani ka mbetur autonom që nga fundi i Luftës Civile Kineze (1949)./Opinion.al