Presidenti i KOKSH-it në Shqipëri Fidel Ylli i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të nxjerrë nga errësira kompanitë e basteve në vendin tonë, që sipas tij po gëlojnë.
Ylli theksoi se këto të ardhura që qarkullojnë nga ky aktivitet në mënyrë të paligjshme të shërbejnë për sportistët.
Më tej ai theksoi domosdoshmërinë për të ndërtuar një Pallat Sporti dhe fusha olimpike në të gjithë Shqipërinë.
“Unë jam i pakënaqur përsëri. Do të lutesha zoti kryeministër, nxirri nga errësira kompanitë e basteve që po gëlojnë.
Që me ato para të bëjmë një qendër tjetër olimpike. Për të bërë dhe shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Ne nuk mund të kërkojmë lëmoshë të buxhetit të shtetit. Unë kam qenë në parlament dhe e di si ndahet buxheti i shtetit. Por ne kërkojmë burime të tjera alternative që i merr sot errësira. U bë mirë që u mbyllën sepse kam qenë në parlament dhe e kam votuar. Ishin bërë si kërpurdha pas shiut.
Por ka ardhur një moment që duhet bërë një studim. Kompani bastesh ka e gjithë bota e qytetëruar. Po ne kaq të pasur jemi që i lëmë këto para në rrugë. Ne nuk mund të rrimë me atë pallat sporti që kemi sot. Duhet bërë një pallat modern. Duhet bërë fusha olimpike në të gjithë Shqipërinë dhe ju do shikoni në fund të vitit tjetër se çfarë efekti do të ketë”, tha Fidel Ylli.