Një aksident tragjik është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Itali në zonën e Trevisos ku kanë humbur jetën 4 të rinj, mes tyre edhe një shqiptar.
Mediat italiane bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pak para orës 2.10 të mëngjesit të 14 gushtit, në rrugën Godega di Sant’Urbano. Viktimat janë tre djem italianë dhe një shqiptar i moshës 19 vjeç.
Bëhet me dije se teksa po merrte kthesën, makina tip “Volkswagen Polo”, ku udhëtonin 4 të rinjtë ka rrëshqitur dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një pemë. Pas përplasjes automjeti përfundoi i përmbysur në një kanal kullimi.
Aksidenti rezultoi të ishte fatal për katër të rinjtë, të cilët po ktheheshin në shtëpi me makinë.
Ishin banorët e zonës të cilët të zgjuar nga zhurma, telefonuan policinë. Por për djemtë nuk kishte çfarë të bënin. Zjarrfikësit nxorën trupat e pajetë, ndërkohë policia vijoi hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit./Opinion.al