Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet ilegale serbe janë duke bërë përpjekje për të penguar punën e autoriteteve të Kosovës.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar sulmin e së shtunës ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Sipas Policisë, njësiti për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, por nuk ka të plagosur.
Sveçla ka thënë se Policia ka qenë duke kryer kontrollin rutinor në këtë liqen.
“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar, ose për t’i vrarë ata”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.
Sipas ministrit, grupet ilegale serbe “tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe”.
Ai ka thënë se autoritetet nuk do të zmbrapsen nga kryerja e detyrave të tyre, “pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës
Kjo nuk është hera e parë që sulmohet Policia e Kosovës.
Vetëm në prill të këtij viti janë regjistruar të paktën gjashtë sulme ndaj këtij institucioni.
Infografikë nga arkivi
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në korrik se, ata që janë duke e sulmuar Policinë e Kosovës në veri të vendit, janë të njohur për organet e rendit si individë të kyçur në aktivitete ilegale.
Sipas tij, bëhet fjalë për disa grupe të kontrabandistëve, që janë të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë.
Ditë më parë, në veri të Kosovës ka pasur tensione për shkak të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat e makinave – me emra të qyteteve të Kosovës – që lëshojnë autoritetet e Serbisë, si dhe dokumentet serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për lëvizjen e lirë më 2011, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimeve në fjalë, serbët lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Si pasojë e situatës së tensionuar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për 1 shtator, me kusht që serbët lokalë të heqin barrikadat. Barrikadat janë hequr deri në pasditen e 1 gushtit.
Beogradi zyrtar nuk e ka mirëpritur hapin e Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe këto dokumente, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë theksuar se Kosova është në të drejtën e saj dhe po vepron në linjë me marrëveshjen e Brukselit./ REL