Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore ka bërë sërish thirrje për liberalizimin e vizave të Kosovës. Ashtu si në konferencën për shtyp të së enjtes këngëtarja këtë herë përforcoi apelin e saj përmes një postimi në “Instagram”.
Thirrja për liberalizim është moto për edicionin e këtij viti të “Sunny Hill Festival”, që organizohet në Prishtinë nga familja Lipa.
“Dje pasdite mora titullin Ambasadore Nderi e Kosovës nga presidentja jonë Vjosa Osmani. Është nder dhe privilegj të jem në gjendje të përfaqësoj vendin tim në të gjithë botën dhe të vazhdoj punën dhe përpjekjet e mia globalisht për të lënë shenjë dhe të bëjmë një ndryshim. Rinia e Kosovës meriton të drejtën e liberalizimit të vizave, lirinë për të udhëtuar dhe për të ëndërruar të mëdha”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Instagram që numëron mbi 85 milionë ndjekës.
Një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani i dha titullin “Ambasadore Nderi” Dua Lipas, në ceremoninë ku morën pjesë edhe bashkëshorti dhe dy vajzat e presidentes.
Pas marrjes së titullit, Dua Lipa tha se është nder dhe privilegj ta përfaqësojë Kosovën në të gjithë botën.