Po mbahet në Tiranë protesta e organizuar nga shoqëria civile dhe partitë politike për vdekjen e vogëlushes Jonada Avdia, e cila humbi jetën dy ditë më parë në plazhin e Himarës pasi u përplas nga një skaf i fuqishëm që drejtohej nga një oficer policie.
Protestës nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti” i janë bashkuar dhe shumë mbështetës të opozitës.
Protestuesit kërkojnë përveç dënimit maksimal për autorin e ngjarjes dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.
Aktualisht autori i kësaj ngjarje të rëndë Arjan Tase është arrestuar dhe policia ka referuar për të akuzën e vrasjes nga pakujdesia , e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg, akuzë kjo që sipas burimeve pritet të ndryshojë nga prokuroria në seancën që do të mbahet të premten në Gjykatën e Vlorës.
7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.
Mëngjesin e së enjtes, drejtues të opozitës, por edhe vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ishin për ngushëllim në familjen e viktimës.