Duket e pabesueshme, por një qytet në Japoninë jugperëndimore, prej disa ditësh është duke u përballur me sulmet e majmunëve.
Në raportimet e mediave vendase thuhet se një grup majmunësh që prej 8 korrikut kanë sulmuar dhe lënduar të paktën 58 persona.
Po ashtu thuhet se majmunët nuk janë të interesuar për ushqim dhe se ata sulmojnë kryesisht fëmijët dhe të moshuarit.
“Ata janë kaq të zgjuar, dhe kanë tendencë të dalin fshehurazi dhe të sulmojnë nga pas, shpesh duke ju kapur nga këmbët”, tha zyrtari i qytetit Masato Saito.
Autoritetet lokale në qytetin Yamaguchi të Japonisë janë detyruar të krijojnë një grup të posaçëm pune për të kërkuar dhe kapur majmunët.
Zyrtari iu ka trguar qytetarëve se si të mbrohen nga majmuni. “Kur përballeni me një majmun, udhëzimet janë: mos i shikoni në sy, bëjeni veten të dukeni më i madh përballë tyre, si p.sh. duke hapur pallton, pastaj largohuni sa më qetë pa bërë lëvizje të papritura”, tha Saito.
Një grua u sulmua nga një majmun teksa kishte varur rroba në verandën e saj, ndërsa një tjetër tregoi gishtat e këmbëve të fashuara nga sulmi. Njerëzit janë befasuar dhe trembur në të njëjtën kohë nga pamja fizike që majmunët kishin.
Majmunët që po terrorizojnë komunitetin janë makakë japonezë, lloji që shpesh paraqitet duke u larë në ujëra të nxehta. Ndërkohë, një majmun me përmasa 49 centimetra i gjatë dhe me peshë shtatë kilogramë u kap të martën nga policia japoneze pasi u qëllua me armë qetësuese. Nga prova të ndryshme rezultoi se ishte një nga majmunët sulmues, i cili më pas u vra.
Sipas raportimeve të mediave vendase thuhet se më shumë sulme u raportuan pas kapjes së majmunit. Fatmirësisht, askush nuk është lënduar rëndë deri më tani, por të gjithë janë këshilluar të marrin trajtim mjekësor, ndërkohë që në disa raste është thirrur dhe ambulanca.
“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë gjatë gjithë jetës sime,” tha zyrtari japonez.