Drejtoria e Policisë së Lezhës ka dalë në një konferencë për mediat këtë të martë, ku ka njoftuar zbardhjen e vrasjes së ish-drejtorit të OST për Veriun, Sajmir Jaku.
Në kuadër të opercionit “Gjurma”, polica njofton se është dokumentuar ngjarja e ndodhur në 9 shtator 2016 në Rrëshen ku u vra me armë Sajmir Jaku dhe u plagos Gjergj Prenga. Në lidhje me krimin me urdhër të prokurorisë së Lezhës është ndaluar një 40-vjeçar banues në Krujë. Sipas policisë 40-vjeçari me iniciale D.K, i lindur në Kurbin kreu vrasjen me pagesë, ndërsa porositësit dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë.
“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje”, njoftoi policia.
40 vjeçari, akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Saimir Jaku, ish-Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut u vra me armë zjarri më 9 Shtator 2016. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe Gjergj Prenga, 50 – vjeç, i cili ndodhej në tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja.
Ai ishte shkarkuar nga detyra vetëm një javë para ekzekutimit./Opinion.al