Ditën e sotme kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Arben Ahmetaj ishin sot në Kamzë për të parë përfundimin e punimeve për ndërtesat që do t’u jepen banorëve që janë prekur nga tërmeti.
Po ashtu, i pranishëm ishte dhe kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, i cili krahas prezantimit të punës që është bërë, i tha Ramës që kishin mbjellë edhe domate e speca në tokën përreth bllokut të pallateve, “ashtu siç e kishte lënë porosi kryeministri”.
“Këto shtëpi janë nga 3+1. Siç kemi ndërtuar këtu nuk është ndërtuar as në Tiranë. Te kopështi siç na e ke lënë porosi kemi filluar të mbjellim domate, speca. Kamzën e kam kthyer në një model për infrastrukturën arsimore dhe nuk do të ketë problem me shkollat për 50 vjet”, tha Suli, ndërkohë që Rama dukej se kishte veshur një bluze me logon e Partisë Socialiste dhe shoqërohej nga vetëm një badigarde.
Në këtë zonë janë ndërtuar gjithsej 270 apartamente për qytetarët që u preken nga tërmeti. “Pas përfundimit të bllokut të parë prej 112 apartamentesh të reja, kanë përfunduar dhe janë gati për të pritur banorët edhe 12 pallate me 158 apartamente të tjera. Mbyllet këtu përfundimisht puna për banesat e lagjes së re të Valiasit, ku janë 270 apartamente dhe ku do të ndërtohet edhe parku më i madh sportiv i një zone urbane të qarkut Tiranë”, shkruan Rama në Facebook.