Presidenti i vendit, Ilir Meta në një postim në rrjetin e tij “Facebook” ka reaguar për 27- vjetorin e masakrës së Srebenicës, ku humbën jetën fëmijë, gra e burra të pafajshëm.
Në postimin e tij, Meta thekson se dënimi i çdo përpjekjeje për mohimin e gjenocidit të Srebenicës, përgjegjësve dhe frymëzuesve të kësaj masakre është e vetmja rrugë që garanton forcimin e bashkëpunimit rajonal, bashkëjetesës etnike dhe fetare, konsolidon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, për të ecur përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian.
Ndërsa shton se fryma e urrejtjes nuk duhet të gjejë vend në shoqëri, dhe se të tilla masakra nuk duhet të përsëriten më në të ardhmen.
“Me pikëllim të thellë nderojmë sot kujtimin e viktimave të pafajshme të Srebrenicës, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, që ndodhi 27 vite më parë, në zemër të Europës. Dënimi i çdo përpjekjeje për mohimin e këtij gjenocidi, përgjegjësve dhe frymëzuesve të kësaj masakre është e vetmja rrugë që garanton forcimin e bashkëpunimit rajonal, bashkëjetesës etnike dhe fetare, konsolidon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, për të ecur përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian. Fryma e urrejtjes, përçarjes, ndasive dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk duhet të gjejë më vend në shoqëritë tona, por duhet të marrë një dënim të merituar për të mos lejuar më të tilla masakra të përsëriten në të ardhmen”, shkruan Meta në “Facebook”./Opinion.al