Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dalë në një konferencë për mediat, ku i është përgjigjur ministres së Financave, Delina Ibrahimaj lidhur me akuzat dhe faktet e publikuara ditët e fundit, nga vetë Kryemadhi, për dosjen e vitit 2018 mbi skemat e mashtrimit, dhe evazionin fiskal në lidhje me inceneratorët.
Kryemadhi tha se ka një reagim pas shumë kohësh, por sipas saj deklarata e ministres kishte luhatje.
Ajo ka kërkuar që ministrja të tregojë se çfarë investimesh janë bërë për inceneratorin e Tiranës deri më sot.
Më tej Kryemadhi ka akuzuar se kompanitë janë fiktive pasi nuk kanë mjete pune, mallra në magazinë apo njerësz të punësuar.
“Ka një reagim pas kaq kohësh, por jam e bindur se në deklaratën e saj ka shumë luhatje. I kërkoj ministres të tregojë çfarë investimi është bërë në inceneratorin e Tiranës deri më sot. Ajo që unë kërkoj është kushti i investimit të 128 mln euro nga koncencionari i Inceneratorit të Tiranës, me të vetmin kusht shërbimin që do t’i ofronte bashkia e Tiranës duke depozituar mbetjet me 29 euro toni. Nuk është i realizuar dhe nëse nuk është i realizuar, a mund të thotë ministria sa ka paguar deri tani dhe këto 40.7 mln euro që janë paguar nga buxheti i shtetit, për çfarë kanë shërbyer? Kjo është detyrë kryesore e Ministrisë së Financave për të shpjeguar se ç’bëhet me paratë e buxhetit. Unë e di mirë dhe s’ka nevojë të ma konfirmojë ministrja se kompanitë që kam denoncuar janë falso, që nuk kanë mjete pune, nuk kanë mallra në magazinë dhe as njerëz të punësuar. Kemi kontrolluar, në bazë të dokumentacionit që kemi, që këto kompani kanë shërbyer për të bërë gjithë evazionin fiskal. Unë bëj sërish një pyetje ministres së Financave: A i keni kontrolluar magazinat e këtyre kompanive? Se kjo është detyrë e Drejtorisë së Tatimeve.”, tha Kryemadhi.
Ibrahimajt tha në një konferencë për mediat se asgjë nga faktet e nxjerra nga Kryemadhi nuk është e re pasi janë zbuluar dhe kallëzuar nga vetë administrata Tatimore, ku nënvizoi se nga viti 2018 janë 34 subjekte të cilat janë referuar nga hetimi tatimor.