Një 25-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi ka përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash duke iu shitur personave të ndryshëm të njëjtin automjet.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në Fier, ku 25-vjeçari me iniciale A.A. nga Divjaka u shiti makinën Volkswagen personave të ndryshëm nëpërmjet mashtrimit dhe fakteve të rreme.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, pas kallëzimit të marrë për një rast të mashtrimit me shitjen e një automjeti, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Transfer”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mashtrimi”, shtetasi A. A., 25 vjeç, banues në Tërbuf, Divjakë.
Ky shtetas ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit dhe paraqitjes së fakteve të rreme, shumën 4.500.000 lekë, pasi u ka shitur personave të ndryshëm, një automjet tip “Volksëagen”-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.