Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike ka deklaruar se amnistia fisklale nuk ka qëllim lehtësimin e emigrantëve por do të vendoset në shërbim të kriminelëve të Edi Ramës.
Zëdhënësja e PD, Floriana Garo theksoi se “ky ligj ka për synim larjen e qindra miliona eurove nga Rama dhe ministrat e tij të vjedhur në tendera e prokurime publike, të bëra në trafiqe kriminale e të vendosura në llogaritë off-shore, ose në emra fonio për të fshehur veten pas tyre.”
Ajo shtoi se emigrantët po përdoren vetëm si fasadë, pasi amnistia është për të besuarit e kryeministrit, klientelën dhe investitorët e tij strategjikë, të privilegjuarit e tij.
“Ligji i amnistisë fiskale, i Edi Ramës, është dëshmia tjetër flagrante e lidhjes së Edi Ramës dhe ministrave të tij me krimin, por edhe e vendosmërisë së tij për të penguar hapjen e negociatave me BE.
Ky ligj, Shqipërinë, vendin tejet problematik për larjen e parave, e fut automatikisht në listën e zezë të këtyre vendeve. Shqipëria sot, është tashmë arena kryesore e larjes së parave të krimit në Europë. Të dhënat e fundit dëshmojnë se, nga 3 miliard euro prona të blera nga shqiptarët, vetëm 1 miliardë janë transkaksione bankare, kurse 2 miliardë janë dhënë cash me valixhe apo strajca.
Sipas këtij ligji, Edi Rama ka vendosur që çdo qytetar shqiptar, rezident në Shqipëri apo emigrant, që ka vënë pasuri nga puna në të zezë, por jo kriminale, mund ta deklarojë tashmë atë, duke paguar një tatim të veçantë që varion nga 7 deri në 10%.
Por, ju ftojmë të shtrojmë pyetjen:
Kush janë këta emigrantë që me djersë, sakrificë, punë me orare të tejzgjatura, dy turne, ose punë të rënda fizike, të kenë vendosur një pasuri të tillë?
Përgjigja është, shumë, shumë pak.
Ky ligj ndonëse paraqitet sikur po lehtesohen emigrantët në të vërtet ai ka si synim:
Së pari, larjen e qindra miliona eurove nga Rama dhe ministrat e tij të vjedhur në tendera e prokurime publike, të bëra në trafiqe kriminale e të vendosura në llogaritë off-shore, ose në emra fonio për të fshehur veten pas tyre.
Po rikujtojmë këtu se, vetë Edi Rama akuzohet në raportin e OSBE të vitit 2014 se ka të fshehura në llogari offshore 200 milion euro dhe këtë akuzë ai nuk guxoi ta përgënjeshtrojë asnjëherë.
Së dyti, ligji nuk ka asnjë lidhje me punën në të zezë të emigrantëve tanë, por lidhet direkt me larjen e miliarda euro para droge e krimi të bandave të lidhura me qeverinë, dhe që bëjnë ligjin në narkoshtetin e Edi Ramës.
Së treti, emigrantët po përdoren vetëm si fasadë! Kjo amnisti nuk është për emigrantët e ndershëm, por për të besuarit e Ramës, klientelën dhe investitorët e tij strategjikë, të privilegjuarit e tij.
Si përfundim, PD dënon me ashpërsinë më të madhe këtë amnisti fiskale si një akt kriminal që realizohet për botën e krimit qeveritar dhe fut Shqipërinë në listën e zezë për larjen e parave të pista.
Mbi të gjitha, ky akt largon shqiptarët akoma më shumë nga Bashkimi Europian.
Kjo amnisti shndërron zyrtarisht Shqipërinë në mega-lavatriçen gjigande të parave të krimit në Europë. Ajo është e rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe duhet anulluar menjëherë”,-tha Garo gjatë fjalës së saj./Opinion.al