Policia e Koperit në Slloveni shkatërroi dy banda kriminale ndërkombëtare, të përfshira në kontrabandën dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave ilegale. Në bashkëpunim me autoritetet italiane, u arrestuan njëmbëdhjetë të dyshuar, ndërsa u sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe kanabis dhe mbi 60,000 euro para cash.
Sikurse bëjnë me dije mediat sllovene, të arrestuarit kanë qenë pjesë e grupit të drejtuar nga Ergys Dashi, i cili u ekzekutua në janar të këtij viti brenda një lokali në Ekuador.
Sipas hetimeve, një rrjet droge i drejtuar nga një shtetas shqiptar në Evropë po kontrabandonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt vendeve evropiane. Kreu i grupit u vra në një restorant në Amerikën e Jugut në fillim të vitit 2022, shkruan Slovenia Times, referuar Dashit.
Në Slloveni, kreu i grupit u ndihmua nga një tjetër shqiptar që ndodhej në burg dhe partnerja e tij nga zona e Izolës. Ajo ishte përgjegjëse për mbështetjen logjistike dhe prokurimin e automjeteve me targa sllovene.
Ky rreth furnizoi një pjesë të drogës në Slloveni, me bashkëpunimin e një shtetasi slloven që luante një rol kyç në këtë pjesë të operacionit të tyre.
Policia e Koperit zbuloi më tej se një grup tjetër kriminal vepronte në zonën bregdetare të Sllovenisë dhe herë pas here punonte me bandën, anëtarët e së cilës u arrestuan në prill. Grupi i dytë furnizonte gjithashtu klientë nga Sllovenia dhe Italia.