Një 37-vjeçar me origjinë shqiptare u zbulua nga agjentë të Policisë Vendore të Pizës, duke drejtuar një makinë pa sigurim prej tre vitesh dhe i është nënshtruar sekuestrimit.
Më pas kontrolli konfirmoi se burri, i cili jeton prej 25 vitesh në Itali, drejtonte makinën pa leje drejtimi për 16 vitet e fundit. Mediat italiane shkruajnë se për shkak të drejtimit pa leje dhe qarkullimit të paligjshëm të rënduar nga mungesa e mbulimit me sigurim, ai rrezikon deri në 45 mijë euro gjobë.
Ai u zbulua nga policia pasditen e 16 qershor, ku disa agjentë të Policisë Vendore të Pizës ndaluan 37-vjeçarin për kontroll.
Shqiptari ka tentuar t’i shmanget kontrollit, ka parkuar makinën disa metra më parë dhe së bashku me pasagjerin kanë zbritur nga makina duke ecur me shpejtësi në drejtim të kundërt. Megjithatë, ky veprim tërhoqi vëmendjen e agjentëve që i arritën dhe i ndaluan.
Kur agjentët i kërkuan letrat e makinës dhe e kontrolluan, u zbulua se shqiptari lëvizte pa patentë prej shumë vitesh. 37-vjeçari iu ka thënë policëve se kishte patentë, por që e kishte harruar atë në shtëpi, gjë që nuk i ka bindur italianët.
Për këtë, shqiptari ka vendosur të rrëfehet, duke thënë se prej disa kohësh nuk dispononte asnjë lloj dokumenti të mjetit, përveç lejes së tij të qëndrimit. Lejen e drejtimit ai nuk e posedonte më që nga viti 2006 kur, për shkak të disa dënimeve për drejtim mjeti në gjendje të dehur, iu pezullua për një kohë të pacaktuar.
Agjentët kanë thirrur karrotrecin për t’i marrë makinën, ndërsa shqiptari rrezikon tashmë të gjobitet me 5100 deri në 30599 euro për lëvizje pa patentë dhe 1984 deri në 7937 euro për qarkullim të paligjshëm./Opinion.al