Një plan i përgatitur me kujdes, ndoshta prej muajsh, çoi, të enjten në agim, në arratisjen e Edison Pulës. 27-vjeçari shqiptar u arratis nga burgu i Trevisos në Itali, pasi ishte arrestuar në shkurt nga skuadra e Trevisos për një sërë vjedhjesh të kryera mes zonës së Marcës dhe zonës së Bellunos.
27-vjeçari shqiptar arriti të arratisej në mënyrë të guximshme nga burgu i Santa Bona, duke sharruar me sharrë hekurat e qelisë, dhe duke u ulur me një çarçaf.
Vetëm një oficer policie ishte i pranishëm në vendngjarje dhe arriti të ndalojë vetëm bashkëpunëtorin e tij.
Sipas hetuesve, 27-vjeçari pas hedhjes nga ndërtesa e burgut pritej nga një bashkëpunëtor i cili ka lehtësuar arratisjen e tij.
Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Policisë Penitenciare hedh hipotezën e përfshirjes së Ndranghetës në arratisjen e të riut shqiptar.
Ndërsa, drejtori i burgut, Alberto Quagliotto, dëshiron të shohë qartë situatën dhe për këtë arsye ka nisur një hetim të brendshëm për të sqaruar disa aspekte të historisë që duken të mbuluara me mister.
Si mundi Pula të merrte sharrën me të cilën sharroi hekurat? Me shumë mundësi jo nëpërmjet të afërmve, as nuk do të ishte marrë nga ndonjë laborator. Ndoshta ai ka patur ndonjë bashkëpunëtor që e ka ndihmuar. A ishte në gjendje krimineli të mbështetej në një rrjet brenda burgut? Ndoshta po, shkruajnë mediat italiane. Ka dyshime të forta se 27-vjeçari, tashmë i kërkuar nga të gjitha forcat policore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka përdorur një ose më shumë bashkëpunëtorë që do ta kishin shoqëruar me makinë larg Trevisos dhe ndoshta nga Italia.
Nga ana tjetër, Quagliotto ka nisur një apel për administratën e burgut që të mund të ketë përforcime në staf (stafi është 18% më i ulët se sa duhet), pikërisht për të parandaluar ngjarje të tjera të ngjashme./Opinion.al