SPAK ka reaguar lidhur me deklaratën e bërë nga gazetari Artan Hoxha në emisionin “Opinion” se Nuredin Dumani kishte dëshmuar se Presidenti Ilir Meta është porositësi vrasjes së vëllait të një deputeti në qytetin e Lezhës në vitin 2017.
“Në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim Nuredin Dumani për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se; Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit Nuredin Dumani në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Posaçme.
Çfarë deklaroi gazetari në “Opinion”?
“Kemi një grup personash të penduar që kanë dëshmuar, por dëshmitë e tyre kanë qenë të një niveli që dhe vet brenda prokurorëve të SPAK kanë krijuar probleme. Nuredin Dumani ka shkuar deri aty që një nga tre personat më të fuqishëm sot, politika, ka porositur vrasjen për të vrarë vëllain e një deputetit, vrasja është bërë. Pra, një nga tre politikanët më të fuqishëm që janë sot ka porositur vrasjen. Unë kam rezerva për këto. Bëhet fjalë pë një ngjarje në vitin 2017, gjatë fushatës elektorale dhe mbas fushatës ka ndodhur vrasja e një përfaqësuesi politik. Ka qenë dhe përfaqësues edhe në këshill, është vrasje pa autor. Sipas Dumanit kjo vrasje është porositur nga një politikan i rëndësishëm dhe është vrarë vëllai i një deputeti i PS. Këto gjera duhen verifikuar. Dumani thotë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti të PS. Nuredini thotë se personat që kanë lidhje me këtë ngjarje kam njohje. Ai thotë se ka folur me një person e ai më ka thënë kështu. Unë nuk e besoj, por po të ketë ndodhur kjo është e rëndë. Fakt është se Aleksandër Ndoka është vrarë dhe ne nuk e dimë se kush e ka vrarë. Ai u vra në derën e shtëpisë. Ai ka folur dhe për politikanë të tjerë. Prokuroria duhet ta verifikojë”,-tha Hoxha.