Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka mbyllur hetimet për publikimin në rrjetet sociale të listës së pagave të qytetarëve shqiptarë.
Lista u publikua më 22 dhjetor 2021, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, dhe ishte lista e pagave të muajit janar të vitit 2021 të punonjësve në institucionet shtetërore dhe private.
Të dhënat u ndanë si fillim në aplikacionin “WhatsApp” dhe më pas u publikuan edhe në media, ndërsa të dhënat ishin lehtësisht të aksesueshme nga çdo shtetas.
Mësohet se në përfundim të hetimeve Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
- Eni Qirjako, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i K. Penal.
- Andi Agaraj, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i K. Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K. Penal.
- Klodian Sota, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv në sektorin privat” parashikuar nga nenet 164/b e 244 i K. Penal.
- Endri Ikonomi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/a i K.penal.