Po vijon seanca maratonë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku pritet të jepet masa e sigurisë për të arrestuarit e operacionit “Plumbi i Artë”.
Mësohet se seanca është shoqëruar edhe me tensione mes të arrestuarve ndaj Nuredin Dumanit.
Dumanit iu komunikua masa “Arrest me burg” në spital këtë mëngjes dhe nuk ishte i shoqëruar me të pandehurit e tjerë.
BalkanWeb raporton se nga 13 të arrestuarit e tjerë që kanë dalë përballë gjykatës dhe kanë dëgjuar akuzat e ngritura nga SPAK me dëshmitar kryesor Nuredin Dumanin, ka pasur reagim të fortë nga një prej të arrestuarve, Besjan Xhixha, 31 vjeç.
Xhixha është shprehur se Dumani nuk po thotë të vërtetën.
Mësohet se Xhixha ka thënë se Nuredin Dumani pas çdo vrasje u jepte siguri se nuk do t’i ndodhte asgjë, pasi kishte lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madje duke theksuar edhe emra hetuesish, duke shtuar se në një moment të dytë do të flasë edhe me emra.
“Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madhe më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur. Dumani është strehuar më shumë sesa një vit e gjysmë në shtëpinë time dhe e njoh dhëmbë e dhëmballë, madje një dhemb prej floriri e kemi vendosur tek një i afërmi im, nëse doni shkoni e verifikoni. Dumani duhet të flasë për të gjitha krimet që ka kryer, nëse me të vërtetë është i penduar”,-ka thënë Besjan Xhixha në gjyq.