Kryeministri Edi Rama, këtë të mërkurë duke folur për miratimin e fondit IPARD 3 nga BE që financon bujqësinë dhe zhvillimin rural me 146 milionë euro, tha se me këtë financim të tretë të BE hapet një rrugë e re për ata që duan të investojnë në bujqësi. Rama u shpreh se nga ky program përfitues janë të gjithë ata që flasin me punën e tyre, dhe se nuk përfitohet më përmes partisë, parasë dhe korrupsionit.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se koha kur AZHBR-ja ishte degë partie dhe bujqësia ishte ndarë në parcela partie ka vdekur.
“Ju këtu jeni me një parti mbi të gjitha partitë, që është partia e punës, dakord, partia e punës. Ndërkohë që këto partitë e tjera pastaj, secili ka mendjen e vet, secili ka zgjedhjen e vet, por kur vjen puna dhe tek partia e punës ne jemi këtu për të vlerësuar të gjithë ata që parti të tyre kanë punën dhe vetëm punën në radhë të parë. Pastaj kur mbarojnë punën, shesin edhe domatet e patatet, një të diel në 4 vjet shkojnë dhe votojnë, puna e tyre. Fakti që këtu nga ky program përfitues janë të gjithë ata që flasin me punën e tyre, dhe nga ky program nuk përfitohet më përmes partisë, nuk përfitohet më përmes parasë, korrupsionit, nuk përfitohet më përmes tarafit, kuptohet nga një gjë shumë e thjeshtë. Nga fakti që Bashkimi Europian e akreditoi agjencinë në vitin 2018. Nuk e akreditonte më parë, se BE ka të gjitha strukturat dhe mekanizmat për të verifikuar se kë po certifikon. Kë të certifikonte? Si ta certifikonte?… Kur BE certifikon dhe financon do të thotë që koha kur AZHBR-ja ishte degë partie dhe bujqësia ishte ndarë në parcela partie dhe ato pak para që jepeshin, jepeshin me parti, ka vdekur”-tha Rama.