Pas aksidenteve rrugore të njëpasnjëshme, ku më i frikshëm ishte ai në Tiranë ku një makinë përplasi një çift me fëmijën tre muajsh, policia njofton se makina inteligjente, pas kolaudimit në Gjermani, hyn sërish në veprim.
Në një njoftim për mediat autoritetet bëjnë me dije se qëllimi është që të evidentohen dhe ndëshkohen drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, përdorin aparatin celular apo nuk vendosin rripin e sigurimit, gjatë drejtimit të mjetit.
Ndërkohë vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, në rrugët e kryeqytetit nga makina inteligjente janë evidentuar:
100 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi 2 deri në 4-fish mbi normën e lejuar, në rrugët e qytetit, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 2 deri në 10 muaj, iu janë zbritur nga 3 deri në 13 pikë në lejen e drejtimit, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative nga 7000 deri në 25.000 lekë të rinj;
Janë vendosur mbi 123 gjoba, për tejkalim të shpejtësisë, pa sanksionin plotësues të heqjes së lejes së drejtimit.
Makina inteligjente tashmë do të vijojë kontrollet e pandërprera në të gjitha rrugët e kryeqytetit, të qyteteve të mëdha dhe në akset rrugore nacionale.