Ajas Sulejmani, drejtuesi i makinës luksoze Mercedes-Benz G Class që aksidentoi familjen tek vijat e bardha në Tiranë një ditë më parë, konsiderohet nga Policia Rrugore si kontingjent rruge.
Specialisti i trafikut urban, Gerhard Baka, i ftuar në studion e Klan News, ka thënë se Ajas Sulejmani 39 vjeç është gjobitur disa herë për shkelje të qarkullimit rrugor.
Ndërsa ditën e djeshme ku përplasi çiftin e bashkëshortëve dhe foshnjen e tyre 3-muajshe duke i lënë të plagosur, ndaj Sulejmanit ka nisur procedimi penal.
“Zotëria në fjalë është evidentuar si shkelës i rregullave të qarkullimit rrugor disa herë. Nuk është arrestuar apo të jetë proceduar penalisht sepse deri në momentin që ndodhi aksidenti i djeshëm ai zotëri ka bërë vetëm kundravajtje administrative. Duhet të saktësojmë, policia rrugore ka si sanksion masën administrative deri sa ja lejon dispozita ligjore. Nuk mund të tejkalojmë dispozitat ligjore në fjalë për çdokënd që qarkullon në rrugë apo është përdorues rruge. Në momentin kur zotëria, si në rastin e djeshëm, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor në bazë të nenit 290 të Kodit Penal, atëherë zotërisë i fillon procedimi penal. Zotëria më përpara nga ana jonë është evidentuar si shkelës i rregullt i qarkullimit rrugor dhe konsiderohet kontingjent rruge. Pra, duhet të saktësojmë, kontingjent rruge ne evidentojmë gjithë personat të cilët kanë një background negativ në përdorimin e mjetit dhe nga ana jonë janë marrë masa gjithmonë për ndëshkimin e këtyre shkelësve sipas dispozitave ligjore në fuqi. Pra, ne nuk mund të tejkalojmë kompetencat tona sado që zotëria apo kushdo qoftë. Ne bazohemi gjithmonë në ligj”.
Sipas specialistit të trafikut urban, Gerhard Baka, Ajas Sulejmani ishte shofer agresiv në rrugë dhe shkeljet e tij administrative kanë qenë që nga kalimi me semafor të kuq e deri në parkim mjeti në vende të palejuara.
“Ky zotëri me sjelljet e tij në rrugë agresive ku kemi pasur raste që ka shkelur semaforin e kuq më përpara, ka pasur raste kur mjetin e parkonte vend e pavend duke sjellë totalisht një anomali në mbarëvajtjen e trafikut. Nga ana jonë i është vënë disa herë dhe bllokues nga shërbimet e bashkisë, dhe përveç se i është vënë bllokuesi, përveç se është ndëshkuar, sigurisht është bërë dhe shoqërimi pranë ambienteve të komisariatit dhe është proceduar si legjislacionit në fuqi për mangësi në dokumentacion. I kemi shfrytëzuar të gjitha kapacitetet tona ligjore për ta ndëshkuar aq herë sa ne na është dhënë mundësia sepse ne nuk mund të tejkalojmë kompetencat tona për këdoqoftë”. /tvklan.al