I shkarkuar të premten nga detyra, prokurori Arjan Ndoj është shfaqur në një festë lokale në fshatin e tij të origjinës në Luf të Pukës.
Sipas news 24, në këtë festë ai ka thënë se vazhdon të jetë sërish magjistrat ndërsa shtoi se ai dhe familja e tij nuk janë mësuar të marrin lekë pa punuar.
“Unë vazhdoj të jem magjistrat prapë sot. Për bashkëkombasit e mi, e dinë që familja ime nuk është mësuar me fitu lekë pa punuar. Vazhdoj të marr prapë rrogën. Jam prapë prokuror. E rëndësishme është që jam prej këtij vendi dhe jam krenar që jam prej këtij vendi.
Na ka rënë barra përsipër që edhe të presim miq por edhe të luftojmë. Historia për brezat e rinj duhet njohur për tre arsye. E para nëse është e mirë mos e me e prishur. Po nuk munde të bësh gjë tjetër ta lësh ashtu si është, dhe më e mira e mundshme është që duke e njohur atë kush është i zoti ta çojë përpara”, deklaroi ai.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra Arjan Ndoj, prokuror i Durrësit.
Mësohet se Ndoj u shkarkua unanimisht nga anëtarët e KPK me arsyetimin se nuk justifikonte pasurinë dhe se kishte favorizuar persona me precedentë penalë.
Në seancën e 29 prillit Ndoj u përplas ashpër me vëzhguesin ndërkombëtar Teo Jacobs.
Ky i fundit i tha Ndojit se s’do të donte një prokuror si ai në skuadër dhe se ishte i habitur se si ai, teksa deklaronte 250 mijë euro pasuri nga puna si avokat në dy vite, kthehet për të ‘luftuar’ krimin.
Ndoji nga ana tjetër iu kundërpërgjigj duke thënë se plotëson të gjitha kriteret për të qenë prokuror dhe se do të donte që vëzhguesi mos të merrej me fjalë kafenesh, por të pyeste njerëzit sepse ata e njohin nga afër.
Kujtojmë se prokurori Arjan Ndoj ka qenë pre e një atentati të ndodhur më 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës. Atentati iu bë teksa ai po lëvizte me automjet me një person me precedentë penalë, Aleksandër Lahon të njohur si i “forti i Sukthit” dhe shoferin e tij Andi Malokun.
Ndaj automjetit tip “Benz” u qëllua me breshëri automatiku ndërsa makina doli nga rruga dhe për pasojë humbi jetën shoferi, Andi Maloku./Opinion.al