Në një konferencë për mediat në selinë rozë, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri u pyet nga gazetarët nëse PS i frikësohet largimit të kryeministrit Edi Rama dhe nëse mund të ketë të njëjtën situatë edhe në këtë forcë politike.
Gjiknuri u përgjigj: Pse? Që të bashkëvuajmë më kundërshtarin. Më tej ai deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk e ka mbaruar ciklin e tij pasi shqiptarët i kanë dhënë një mandat për të drejtuar vendin.
“Të gjithë strukturat poshtë janë njohur me aktet që do të miratojë nesër asambleja. Brenda qershorit synojmë të përfundojmë. Është një proces kompleks sepse bëhet fjalë për 61 bashki. Nuk është një proces i thjeshtë që mbaron brenda muajit. E lidha me të gjitha momentet e hapave që na çojnë te zgjedhjet vendore.
Partia Socialiste do ta bëjë vendin për një president më të mirë se modeli që kishim. Çdo lloj emri që do të dalë do të jetë një emër më i mirë se ata që kemi pasur herët e fundit. Forcave politike ndryshimi u vjen nga vota popullore. Rigjenerohen për të përmirësuar veten. Edi Rama nuk e ka mbaruar ciklin e tij. Jo se është dëshira e tij por sepse këtë mandat i kanë dhënë shqiptarët. Janë qytetarët shqiptarë ata që vendosin kush del në pension dhe kujt i ka ardhur koha të ikë nga drejtimi i një force politike. Pavarësisht se opozita e ka këtë dëshirë nuk do i plotësohet për një kohë të gjatë”, tha Gjiknuri./Opinion.al