Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka deklaruar se nuk ka ambicje për të qenë kryetare e partisë.
Në një intervistë në Klan News ish-kryeparlamentarja Topalli tha se nuk e ka menduar asnjëherë në jetën e saj këtë duke theksuar se ka menduar gjithmonë që të thotë të vërtetat e asaj që PD ka kaluar gjatë këtyre tre dekadave.
“Jo nuk e kam menduar asnjëherë në jetën time për t’u bërë kryetare e partisë. Unë kam menduar gjithmonë që të them të vërtetat të një realiteti që kjo forcë politike ka kaluar gjatë këtyre tre dekadave. Ka një histori dhe një trashëgimi shumë të veçantë për të cilën nuk ka pse mos të jemi krenarë, ashtu sikurse ka kaluar 10 vitet e fundit, vite që nuk e nderojnë atë”, u shpreh Topalli.
Po ashtu ajo shtoi se nuk ka menduar asnjëherë as për postet e tjera në parti. Topalli tha se nga historia personale ka mësuar se nuk është nevoja për të qenë në poste drejtuese apo për të qenë në parlament për të bërë beteja.
“Jo, jo! Nuk e kam menduar një gjë të tillë. E kam thënë dhe e përsëris prapë. Qoftë nga historia personale kam mësuar se nuk është nevoja për të qenë në poste drejtuese apo për të qenë në parlament për të bërë beteja apo për të thënë disa të vërteta për të cilat shumë gjatë dhe shumë njerëz kanë heshtur. Unë kam thënë do vijoj të jem vetja ime, dhe do vazhdoj të jem vetja ime, sigurisht një mbështetëse e patundur e besimeve të atyre parimeve që i kam thënë prej kohësh”, tha Topalli.
Më tej ish-kryeparlamentarja theksoi se Berisha është, “I vetmi njeri që ka bërë ‘mea culpa’ nga qyteti në qytet”.
Topalli foli edhe për emocionet në Kuvendin e 30 prillit. “Ngritja në këmbë e sallës gjatë Kuvendit kur unë u ngrita me shumë emocion të them të drejtën ka qenë gjëja më unike që kam përjetuar ndonjëherë”, tha Topalli./Opinion.al