Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë ka replikuar me opozitën për çështjen e konçensionit të parkut Kombëtar të Butrintit.
Rama iu drejtua opozitës duke thënë se “çfarë do të bëhet me Butrintin e vendosim ne që e kemi shpëtuar Butrintin nga ju”.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh nuk ka marrëveshje sekrete për Butrintin.
“Këtu nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do bëhet me Butrintin e vendosim ne që e kemi shpëtuar Butrintin nga ju. E mbajmë mend se ç’ishte Butrinti nga pikëpamja e gjendjes kur isha Ministër Kulture. Nuk ka lidhje se nga vini, sa normal keni qenë, në momentin që jeni bërë pjesë e kësaj kopeje jeni afektuar nga budallallëku. Kjo do të thotë të jesh në një krizë, e zgjidhni vetë, nuk iu ndihmoj dot. E keni shtrembërim në ADN që për çdo gjë flisni mbrapsht. Nuk keni pse fyheni. E dini se kush është fondacioni? Apo ju ka zënë sytë lufta me Amerikën dhe çdo gjë amerikane ju duket problem? Fondacioni amerikan është një kontributor i rëndësishëm në procesin e vendit, me kohë dhe vakt. Është faktor dhe bashkëpunëtor i qeverisë, jo sot por i të gjitha qeverive të Shqipërisë. Ju nuk po akuzoni mes nesh, por po akuzoni se fondacioni amerikan, me qindra miliona dollarë, që janë kontribut i një grupi njerëzisht që jetojnë në SHBA, që mbledhin fonde për Shqipërinë, që nga pikëpamja ekonomike janë ok, na paska hyrë në një marrëveshje sekrete me qeverinë tonë për të hapur bare dhe restorante në Butrint!”, tha Rama.