Vijojnë kontrollet e Policisë së Shtetit për parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe garantimin e një qarkullimi sa më normal të automjeteve.
Efektivët e policisë janë fokusuar në ato shkelje, që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, si: përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara, manovrat e rrezikshme në rrugë, shpejtësia tej normave të lejuara, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe mospërdorimi i rripit të sigurimit nga drejtuesi i mjetit apo pasagjeri.
Autoritetet bëjnë me dije se për herë të parë nga Policia Rrugore e Tiranës është aplikuar testi i drogës dhe është vënë në pranga një drejtues mjeti që drejtonte mjetin në efektin e drogave të forta.
Sakaq, policia njofton se 66 persona janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi;
819 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor;
Janë vendosur 22 739 gjoba, me një mesatare prej 2274 masash në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparatit celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësise këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj.
Gjithashtu, pajisja e re e leximit automatik të targave të mjeteve ka evidentuar 1563 automjete që ishin ndëshkuar më parë me disa masa administrative që varionin nga 3-7 masa. Nga përdorimi i makinës inteligjente “Poliscan” janë vendosur 2153 masa për shpejtësi tej normave të lejuara. Disa nga drejtuesit e mjeteve janë evidentuar duke kryer 2 ose 3 shkelje njëherësh: shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim i celularit gjatë drejtimin te mjetit dhe mospërdorim i rripit të sigurimit.