Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka dalë në një prononcim për mediat pas përfundimit të konsultimeve me dy përfaqësues të opozitës dhe shoqërinë civile.
Ai ka treguar se të dy përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar shtyrjen e datës së Konferencës së Kryetarëve, që ishte parashikuar të zhvillohej më 29 prill. Sipas Ballës data e re për konferencën mund të jetë 4 ose 6 maji.
“Kemi diskutuar lidhur me kalendarin e procesit. Kemi marrë një pjesë propozimesh me vlerë që lidhen me figurën e Presidentit të Republikës, për të filluar të ndërtojmë kriteret që do orientohet procesi i zgjedhjes së kandidatit. Kemi pasur kontakte me zotin Mediu së fundmi, më përpara me zonjën Doda, ku kemi marrë prej tyre një kërkesë, ka qenë nga të dy për të marrë pak më shumë kohë, ndoshta duke riskeduluar afatet me një javë shtesë. Kërkesa e tyre ishte që konferenca e parë për thirrje të mos ishte 29 prill por data 4 ose 6 maj në varësi të afateve që do biem dakord. Duke mos harruar, brenda çdo 7 ditësh të riorganizohen raundet. Fleksibiliteti duhet të jetë maksimal, në funksion të kësaj bisede, nesër do i drejtohem kryetares së Kuvendit për të ndryshuar këto afate. Në ditët në vijim do të kemi një konfirmim nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Sot ishte e pamundur të takoheshim për rrethana të kuptueshme. Ajo që për mua ka rëndësi, është që procesi i zgjedhjes së Presidentit, po ecën brenda një kalendari të shpejtë dhe të hapur. Duam një proces transparent”,-tha Balla.