Mediat italiane i kanë kushtuar një artikull bosit italo-shqiptar të trafikut të drogës Elvis Demçe, i cili arriti të hynte në botën e trafikut të lëndëve narkotike dhe u arrestua janarin e kaluar në një operacion nga policia italiane. I njohur edhe si “Spartaku”, 36-vjeçari ishte shumë i afërt me Fabrizio Piscitelli, lideri i grupit të trafikut të narkotikëve i njohur si Diabolik, i cili mbeti i vrarë më 7 gusht 2019.
Drejtuesi i një grupi që synonte sheshet kryesore të trafikut të drogës në Prenestino, Castelli Romani dhe Velletri, Demçe kishte mësuar se disa agjentë po kryenin hetime për aferat e bandës së tij. Prandaj ishte i vendosur për të gjetur identitetin e tyre, për t’i trembur apo edhe për t’i eliminuar. Këto detaje kanë rezultuar nga të dhënat që disponon policia të siguruara nga serveri i aksesuar prej vitit të kaluar Sky Ecc, një sistem bisedash i përdorur nga shumë organizata kriminale për të shmangur përgjimin.
Falë rrjeteve sociale, grupi kishte arritur të gjurmonte fytyrat e policëve të ngarkuar me hetimet, mungonin vetëm adresat për t’i kërkuar në shtëpi. “Sikur të dinte dikush shtëpinë e tyre. Do u çojmë dikë për t’i terrorizuar këta djem k*rvash”, thuhet në bisedat e transkriptuara nga Europol.
“Spartaku” nuk kishte për qëllim vetëm të trembte agjentët. Nga sa del nga përmbajtja e analizuar nga policia europiane dhe e raportuar nga Repubblica, bosi ka synuar të identifikojë shefin e agjentëve dhe ta vrasë: “Duhet ta vrasim, nuk kemi zgjidhje tjetër”.
Të gjitha këto të dhëna janë në dorën e drejtësisë. Ndër përgjimet më komprometuese, janë ato që i referohen periudhës së verës së vitit 2020, kur Demçe dhe banda e tij gjetën defekte brenda makinave të tyre. Ata dyshuan për një oficer policie: “Ai më ka ndjekur për një kohë të gjatë. Nëse është ai duhet ta vrasësh, nuk kemi zgjidhje tjetër. Një plumb në kokë. Mjafton të përgatisim motoçikletat, të flasësh me djemtë, dhe gati në aksion për ta vrarë”.
Më 7 shtator 2020 banda kriminale kishte identifikuar policët që po ndiqnin rastin: shpërndahen foto dhe faqe sociale: “Vëlla, këta janë policët e Via Genova!”
Prandaj Demçe dhe njerëzit e tij kishin kontrolluar shtëpitë e agjentëve të skuadrës. Por, për fat të mirë, planet e Spartakut nuk u realizuan. Bosi përfundoi pas hekurave në fillim të vitit për drogë dhe zhvatje falë punës së karabinierëve të bërthamës hetimore të Romës dhe të grupit Frascati./Opinion.al