Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, këtë të enjte në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë tha se mbi 80% e shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online. Çuçi u shpreh se ky sistem mban larg korrupsionin, si dhe iu garanton qytetarëve shërbim cilësor me një klik përmes celularit të tyre.
Sipas tij, ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm që krijon siguri dhe u jep fund pritjeve nëpër sportele.
“Mbi 80% të shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online përmes një sistemi që jep siguri, mban larg korrupsionin, si dhe iu garanton qytetarëve shërbim cilësor me një klik përmes celularit të tyre. Ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm që krijon siguri dhe u jep fund pritjeve nëpër sportele. Edhe po të dojë këtë nuk mund ta mohojë dot askush”, tha Çuçi.
Më tej Çuçi theksoi se digjitalizimi i shërbimeve publike është një instrument për të mbajtur larg korrupsionin në zyrat e shtetit.
“Digjitalizimi dhe procesi i modernizimit të shërbimeve publike është një instrument i pazëvendësueshëm jo vetëm për të mbajtur larg korrupsionin në zyrat e shtetit, por është një kapërcim epokal që sjell akses më të madh dhe më cilësor të qytetarëve në shërbimet publike. Vetëm me një adresë të saktë ke akses në shumë shërbime publike të cilat në masë të madhe ofrohen online”, u shpreh Çuçi.