Pak ditë para kongresit të Partisë Socialiste, janë zbardhur disa nga propozimet e reja që do t’i parashtrohen Kongresit më 9 Prill. PS ka vendosur qe te ndërpresë mandatin 4-vjeçar të kryetarëve aktualë të degëve të partive.
Po ashtu zgjedhja e strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022.
Partia Socialiste do ta mbajë të shtunën e 9 Prillit Kongresin. Ndër të tjera pritet që aty të bëhen publike edhe rezultatet e Këshillimit Kombëtar.
Dokumenti:
KONGRESI I PARTISË SOCIALISTE
Projekt
V E N D I M
Nr_____, datë 09.04.2022
Mbështetur në nenin 32 të Statutit të Partisë;
Për të përmirësuar dhe për të bërë më efektiv drejtimin e strukturave të partisë në nivel vendor;
Për t’i hapur rrugë implementimit të ndryshimeve në organizimin e strukturës së drejtimit në nivel bashkie, sipas kërkesave të parashikuara në nenet 26 dhe 27 të Statutit që miratoi ky Kongres;
Për të përmbyllur gjithë procesin zgjedhor në strukturat vendore të partisë dhe për të përsosur veprimin organizativ, politik dhe elektoral të tyre;
Me propozim të Kryesisë së Partisë dhe të Asamblesë Kombëtare,
Kongresi i Partisë;
V E N D O S I:
Të ndërpresë mandatin 4 vjeçar të kryetarëve aktualë të partisë të bashkive;
Zgjedhja e drejtuesve të rinj të partisë në bashki të bëhet në përputhje me kërkesat e neneve 26 dhe 27 të Statutit dhe të Librit të Rregullave të Partisë;
Brenda datës 30.04.2022, Asambleja Kombëtare e Partisë të miratojë rregullat, procedurat, kriteret për organizimin e procesit të zgjedhjes për strukturat vendore të partisë si pjesë e Librit të Rregullave me ndryshimet e reja në Statut;
Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022;
Kryetarët aktualë të partisë së bashkive do ushtrojnë detyrat e tyre deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj;
Ngarkohet Kryesia e Partisë dhe Sekretariati ekzekutiv për zbatimin e këtij vendimi.
KONGRESI I PARTISË