SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për të arrestuar deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, pasi rezulton të jetë një nga emrat e implikuar në aferën e Inceneratorit të Fierit.
Prokuroria Anti-Korrupsion në një njoftim ditën e sotme bërin me dije se nga hetimet rezulton se gjatë kohës që ka shërbyer në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Alqi Bllako, ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 14,964,900 lekë.
Por si realizohet procedura për miratimin ose jo në lidhje me arrestimin e një deputeti në Kuvend?
Sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, pasi kërkesa i paraqitet Kuvendit, kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
Ky i fundit ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
Pas përfundimit të shqyrtimit, brenda 2 javëve, Këshilli harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi.
Pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Kuvendi ka në dorë të vendosë me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.
Por çfarë ndodh në rastet kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme?
Sipas Tv klan nëse brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse nuk merret vendimi, konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
Nga ana tjetër, përcaktimet e bëra në nenin 118 të rregullores së Kuvendit zbatohen në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë SPAK tashmë ka dërguar në kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Alqi Bllako, që nëse miratohet do t’i hapë rrugë arrestimit të tij për përfshirjen në çështjen e inceneratorëve.
Burime për Opinion,al bënë me dije se nesër do të mblidhet këshilli i mandateve, për të gjykuar këtë kërkesë.