Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë vizitës së saj në Nju Jork, ka zhvilluar një takim me ekipin shqiptar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ajo është shprehur se Shqipëria do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Sigurimit në muajin Qershor dhe do të ketë mundësinë të avancojë akoma më shumë agjendën e prioriteteve të saj.
“Shqipëria do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Sigurimit në muajin Qershor, çka është edhe momenti kulmor i punës sonë gjatë vitit të parë të mandatit, jo vetëm në terma prestigji, por edhe sepse vendi ynë do të marrë një rol akoma më të rëndësishëm në përcaktimin e axhendës dhe punës së Këshillit të Sigurimit dhe do të ketë mundësinë të avancojë akoma më shumë agjendën e prioriteteve dhe interesat e Shqipërisë”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Lidhur me axhendën e Shqipërisë gjatë presidencës, ministrja Xhaçka theksoi se përpjekjet globale kundër ekstremizmit të dhunshëm, axhenda e grave, paqes dhe sigurisë do të jenë prioritetet kryesore. Ajo porositi ekipin që Ukraina të vijojë të ketë vëmendjen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Gjatë mandatit dy vjeçar si anëtar i KS, vendi ynë do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Sigurimit në Qershor të këtij viti dhe në Tetor të vitit 2023./Opinion.al