Në një fjalim të rëndësishëm që pritet të mbajë sot pasdite në Poloni, Presidenti Joe Biden pritet t’u bëjë thirrje vendeve demokratike të kundërshtojnë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, zoti Biden pritet gjithashtu të vërë theksin edhe tek uniteti që ekziston mes vendeve Perëndimore mbi nevojën për të ndalur Vladimir Putinin.
Ndërsa ndodhet në Poloni për një vizitë zyrtare, Presidenti Biden u takua në Varshavë me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe atë të Mbrojtjes Oleksii Reznikov, takimi i tij i parë ballë për ballë me zyrtarë të lartë ukrainas që nga fillimi i luftës.
Presidenti Biden ka qenë i pranishëm në tre ditë takime urgjente me aleatët e G-7s, BE-së e NATO-n, si dhe dhe ka takuar trupat amerikane që janë dislokuar në Poloni. Të shtunën ai po zhvillon një takim me Presidentin polak Andrzej Duda.
Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, një veprim që Moska e quan një operacion special ushtarak. Një zhvillim i tillë ka vënë në provë premtimin e bërë nga Presidenti Biden ndërsa mori detyrën vitin e kaluar, për t’u përballur me autokratët, përfshirë presidentin rus dhe udhëheqësin e Kinës Xi Jinping.
Shtëpia e Bardhë tha se në fjalimin e tij zoti Biden do të bëjë komente mbi përpjekjet e përbashkëta të botës së lirë për të mbështetur popullin e Ukrainës, për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën e saj brutale dhe për të mbrojtur një të ardhme që i ka rrënjët tek parimet demokratike. Polonia është vendi më i madh ish-komunist anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Rritja e populizmit të krahut të djathtë në Poloni vitet e fundit, e ka vënë atë në konflikt me Bashkimin Evropian dhe Uashingtonin, por kërcënimi që vjen nga Rusia e ka afruar Poloninë me fqinjët e saj perëndimorë.
Zgjedhja e Joe Biden-it në krye të Shtëpisë së Bardhë e vuri në një pozitë të vështirë, qeverinë nacionaliste të partisë Ligj e Drejtësi, nisur nga marrëdhëniet e mira me paraardhësin e tij, Donald Trump-in.
Por me rritjen e tensionet me Rusinë, përpara se ajo të sulmonte Ukrainën, zoti Duda dukej se po kërkonte të qetësonte marrëdhëniet me Uashingtonin. Në dhjetor, ai i vuri veton një ligji që kritikët thanë se synonte të heshtte një transmetues televiziv me pronar amerikan./ VOA