Një 41-vjeçar nga Turqia, i quajtur Ulas Cokyigit është arrestuar nga policia e Tiranës.
Sipas policisë turku ndodhej në arrest shtëpie në Tiranë për shkak se akuzohej për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ai është arrestuar pasi ka thyer arrestin e shtëpisë, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se ishte shpallur në kërkim nga policia e Stambollit për vrasje të kryer në bashkëpunim.
“Gjatë verifikimeve të mëtejshme ka rezultuar se më datë 08.03.2022, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi zyra e Kryeprokurorit Turqi/Stamboll, ka lëshuar urdhër arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese turke tashmë po vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi./Opinion.al