Konsumimi i produkteve të shpendëve nuk është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.
Në një deklaratë për mediat, drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Tana Tika, ka thënë se nuk ka vend për panik për konsumatorët që konsumojnë produktet e shpendëve, mish apo vezë.
Sipas saj, nuk ka asnjë rast në botë që njerëzit të jenë infektuar nga konsumimi i këtyre dy produkteve, por vetëm nga kontakti i drejtpërdrejtë me shpendët e sëmurë.
Megjithatë, Tika iu bëri thirrje qytetarëve për kujdes, që të mos prekin shpendët e ngordhur apo të sëmurë.
“Çfarë duhet të theksohet për publikun dhe konsumatorin është që nuk ka vend për panik për konsumatorin që konsumon produkte me origjinë nga shpendët, mish apo vezë sepse ky virus është zoonotik, e prek njeriun, por më së shumti dhe nuk ka deri tani asnjë rast të konfirmuar në botë që vjen nëpërmjet konsumit të produkteve, por vjen nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me shpendët e sëmurë apo të ngordhur nga ky virus. Përsëri i bëhet thirrje konsumatorit të mos prekë shpendë të ngordhur apo sëmurë, por të njoftojë shërbimin veterinar si dhe të konsumojë lirshëm duke i trajtuar në temperatura mbi 75 gradë për një kohë të paktën 20 minuta, produktet me origjinë nga shpendët, vezët dhe mishin dhe të mos jetë i frikësuar për infeksione të ardhura nëpërmjet ushqimit nga këto produkte”, tha ajo./Opinion.al