Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji tha se situata në të cilën ndodhet PD ka shkaktar Lulzim Bashën dhe ai duhet të japë dorëheqjen. Më tej, ai pohoi se në mbledhjen e grupit të shtunën, Basha pohoi që do të tërhiqej, qëndrim që më pas nuk e artikuloi për mediat.
“Basha tha në mbledhjen e grupit do tërhiqem”, u shpreh Salianji.
Njëkohësisht deputeti pohoi se kjo dorëheqje nuk ka pse të lidhet me largimin e Berishës, pasi kyi fundit është përjashtuar zyrtarisht. “Përderisa nuk e kemi zyrtarisht në parti, anëtar partie, nuk kemi pse të vendosim kushte. Kryetari i PD duhet të japë dorëheqjen. Shkaku është që ka patur një votë antibashë dhe u agravua pas 25 Prillit. Nuk është prej vendimit të datës 9, por prej veprimeve të gabuara të Lulzim Bashës”, tha Salianji.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si ka reaguar Basha në mbledhjen e grupit të shtunën, Salianji tha: “Në përgjithësi ka mbajt shënime. Në mbledhjen e parë ka thënë që është kurth, por ne jemi aty që t’i kalojmë kurthet, sfidat dhe ne nuk mund të themi që një parti e madhe të përfundojë e tretë dhe të themi fajet i kanë të tjerët”./Opinion.al